lunedì 9 dicembre 2013
Zogu i Tunes dhe erdoganistet e Maqedonise
Tuna tronditi me zogun e saj ne videofest 2013. Gishti i saj mesit e çmendi publikun. Ishin te papergatitur duket nga kjo shqiptare e Maqedonise qe mund te arrinte deri ne kete fare feje. Megjithate askush nuk u pa te vinte duart ne koke, as te linte sallen nga ngacmimi i Tunes. Ky ishte Grammy shqiptar e si i takon ketij soji, Grammy duhet te trondise nga pak me performacat superprovokuese te kengetareve. Qe nga 2004, ku Janet Jackson "aksidentalisht" performoi me gjoksin e saj ne Super Bowl, duke perfunduar ne gjithe titujt e lajmeve boterore, e vazhduan traditen Beyonce me kercimin provokues, Madonna me lekuren e saj vezulluese etj, ne 2010 organizatoret e Grammy nxorren nje rregullore per nje kod te veshjes, ku kerkohej qe gjenitalet te ishin te mbuluara. Pra vetem dukja e gjenitaleve ndalohej e nuk behej fjale per prekjen e tyre qe u lihej ne dore zgjedhjes se kengetareve, te cilet nuk jane as te çmendur e as manjiake seksuale.Papritur nje dite Rihanna vendos t'ua thyeje turinjte gjithe konvecave kolektive per performancen e femrave ne videoklipet e tyre. Nderkohe qe publiku ishte mesuar me Michael Jackson, Bobby Brown, Vanilla Ice, Boyzone Justin Timberlake, Chris Brown, Usher, Ne-Yo, Eminem etj, te cilet shpesh vallezojne bashke me zogun e tyre, nuk e prisnin qe me You Da One, Rihanna do te vallezonte per 11% me zogun e saj. Publiku u skandalizua filimisht, por asgje nuk mund ta zhbente videoklipin e kengetares qe arriti majat e shitjes. Seksi shet, po, por kur seksi perdoret si revolte, duhet kuptuar si i tille e jo si banalitet ku shpesh perfundojne ngjarjet shqiptare. Tuna ne Videofest ishte e mbuluar deri ne fund te kembeve me nje fustan te kuq, tipik per kanagjegje. Ngriti nje gisht lart, rrahu zogun, e falenderoi zogun e saj dhe aq e pat puna. Tuna eshte vulgare, banale, kompeson paaftesine e saj duke rrahur zogun etj etj. Komente te ashpra erdhen nga nivele te larta VIPash shqiptare, te cilet e kane gojen plot moral ne nje vend ku morali nuk dihet me çfare pamje ka, por ky nuk duket te jete shqetesim i tyre.Tuna vjen nga Maqedonia, ku shqiptaret mbajne vulen e fanatikeve te Ballkanit. Grate me shami dhe kapardina deri ne fund te kembeve jane tipari me i dukshem i gjinise shqiptare aty. Tuna e di kete, e sheh çdo dite. Para ca ditesh madje burrat e tyre u ngriten ne proteste ne mbeshtetje te Erdoganit. Sulltani u tha te ishte shqetesimi kryesor i tyre. Si mund te shpjegohet? Kaq mund t'u kete marre koka ere? A nuk ishte diçka e ngjashme edhe lindja e Afghanistanit qe njohim sot? A mund te lindin Afghanistane te reja, tjeterkund? Ky fakt nuk duket t'i shqetesoje kaq shume kritiket elitare te artit shqiptar. Izolimi dhe anashkalimi i shqiptareve te Maqedonise, i cili se bashku me diskriminimin qe u behet atyre nga politika maqedonase, i solli ata ne kete pike. Te kerkojne sulltanin si te vetmin mbeshtetes te tyre. Kjo duket qe nuk trondit askend.Lideret qe i perfaqesojne te paafte per te drejtuar, Shqiperia qe kurre nuk u mesua te kujdesej per bashkekombesit e saj jashte vendit, Kosova me problemet e saj madhore te krijimit te shtetit, nuk u perpoqen asnjehere seriozisht per t'i integruar shqiptaret njeri me tjetrin. Ne shtetet ku shqiptaret jetojne, integrimi eshte i njekahshem, shihet vetem mes ketyre shteteve dhe europes, por asnjehere nuk u shkon ne mendje se ky integrim se pari ka nje kahje tjeter, ate te njohjes me njeri-tjetrin. Ne as sot nuk kemi ura. Mund te kemi ndonje trung mbi kanal sa per te kapercyer aren e kjo u be fale martesave te perziera apo ndonje ngjarjeje te rralle kulturore qe na i sjell ne mend edhe ata qe jane matane gardhit. Derisa nuk ka ura, ka refuzime, paragjykime.Para se ta gjykoni Tunen per Zogun e saj, mesoni t'ia lexoni mesazhin. Ajo do ta tregoje ate zog, me shprese se ju do t'ia shikoni. Shikojani! E kujtohuni se ajo eshte grua, shqiptare, e Maqedonise, nje hap mbrapa gardhit. Mos pertoni ta kaperceni ate gardh, per te pare me syte e tuaj çka po ndodh. Nuk eshte e moralshme te kercesh neper diskoteka me zogun e Rihannes e te nesermen te vesh kravaten per te blasfemuar Tunen pse rrahu zogun e saj.
mercoledì 27 novembre 2013
Kombëtarja që zbuloi kombin
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, edhe pse nuk pavarësoi as gjysmën e tokave shqiptare, veçoi identitetin e shqiptarit nga ai i perandorisë osmane, dhe krijoi kombin. Ndarja në kaurë a muhamedanë tregonte që kishte një faktor edhe më të rëndësishëm që i lidhte shqiptarët me njëri-tjetrin. Gjuha. Historia na mëson që gjuha ka qenë shpesh antagonistja më e madhe e religjionit, e ndonjëherë edhe aleatja e tij.
Nëse religjioni tenton të jetë përjashtues, gjuha jo;
gjuha është faktori i identitetit dhe instrumenti i komunikimit. Në momentin
kur dy komunitete flasin gjuhë të ndryshme, religjioni nuk është i mjaftueshëm
për t’i bashkuar ( p.sh. flaminget katolikë dhe valonët) dhe as përkatësia e njëjtë gjuhësore (Bosnja) nuk garanton sot bashkjetesën mes serbëve
ortodoksë, katolikëve kroatë dhe myslimanëve.
Në këtë kontekst, ne shqiptarët zëmë një vend më
specifik, i cili meriton vëmendje serioze. Debatet e ashpra për ndeshjen Shqipëri-Zvicër
ishin një shpërthim i pavetëdijshëm i konfuzionit identitar ku gjendemi. Kuq e
zinjtë kundër kuq e zinjve me fanella të kombëtares zvicerane apo kaltroshave me flamujë të Zvicrës. Pikërisht
thirrjet diskriminuese të tifozëve, absolutisht të papranueshme, duhet të na
ndiznin llampat e alarmit.
Çështja e identitetit, qoftë ajo individuale apo
kolektive, paraqitet si temë qëndrore në debatin e sotëm botëror për shumë motive;
i pari është fakti se shoqëria bashkëkohore, para së gjithash, është një
shoqëri multikulturore. Në momentin kur një individ, i cili i përket një
kulture çfarëdo, vihet në kontakt me një kulturë “tjetër” mund të vazhdojë të
ruajë kulturën e tij ose mund të parapëlqejë tjetrën. Natyrisht që preferenca
ndaj një kulture tjetër është e rrallë, por gjithmonë është e mundur, të paktën
për botën perëndimore.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës solli lindjen e një shteti-komb
të ri, i cili ka simbolet e veta, si edhe një himn, në këtë rast pa fjalë
(mungesë që flet më shumë se fjalët). A po sillte kjo edhe lindjen e një kombi
të ri brenda kombit shqiptar? E kjo
s’ish parë e s’ish menduar ndonjëherë. Atë çka kishte arritur ta pavarësonte
Ismail Qemali, identitetin kombëtar, a po e vinte në lojë themelimi i shtetit të
ri? A nënkuptonte kjo edhe shkëputje? Faktikisht
debatet mbi kombin e ri kosovar shpesh transformohen në histeri publike ku
ndarja është drastike, o me ne, o kundër nesh. Kjo tregon se kemi të bëjmë me
një problem serioz, që prek identitetin, ndaj të cilit individi është tej mase
i ndjeshëm.
Përballë kësaj gjendjeje të re të krijuar, vihet
shtresa tjetër e shoqërisë sonë që jeton në diasporë. Pikërisht ata fëmijë të
lindur apo rritur atje përjetojnë konflikt identitar të trefisht: përkatësi shqiptare, kosovare apo të vendit ku jetojnë?
Ndërkohë që mund të kishin kultivuar me kujdes një shtresëzim të të triave, por
kjo varet nga shumë faktorë si ai kulturor, arsimor, ekonomik etj.
Sa më shumë që emigrantët ndiejnë që tradita e tyre
kulturore e origjinës respektohet në vendin e ri të rezidencës e sa më pak e
vërejnë që janë të mbajtur peng, të refuzuar, të kërcënuar a diskriminuar për
shkak të identitetit të tyre të ndryshëm, aq më e pritshme do të jetë hapja e
tyre ndaj ofertave kulturore në vendin e ri dhe aq më pak do të mbeten të kapur
fort pas mënyrës së tyre të “vjetër” të
jetesës.
Në manifestin e Partisë Komuniste Marx-i dhe Engels-i
nxitnin të shkrinin trupat solidë të strukturave të rendit kapitalist ndërkohë
që revolucioni proletar mund të kontribuonte në një mënyrë më vendimtare për
ndërtimin e një shoqërie më ndryshe, më fluide. Sot bota përballet me një rend
të ri social, ‘ të lëngshëm’, pa spiranca, pa pika fikse referimi, brenda të cilave vlerat, institucionet dhe
sjelljet janë po ashtu të rrjedhshme dhe njeriu ndihet më mirë me vetveten.
Një politikë më serioze ndaj çështjeve identitare e
bazuar fuqishëm te toleranca do të zbuste konfliktet identitare si dhe do të
shmangte debate publike të pakrye që përfundojnë
me linçime mesjetare. Vetëm një shtet pluralist, që duhet të jetë patjetër i
shekullarizuar, pasi besimet nuk tolerojnë kundër-besime, do të kishte vend për
të gjithë. Varietet dhe jo uniformitet,
të menduarit ndryshe dhe jo unanimitet, ndryshim dhe jo palëvizshmëri. Ky është
shteti që meritojmë. Kjo do ishte pavarësia
jonë. Kultura pluraliste që nuk abuzon me emrin që i jepet.
Botuar te Zeri, 27/11/2013
giovedì 10 ottobre 2013
Fjalët që ngrenë një qytet ëndrrash
Vetë lindja e politikës, që në botën oksidentale na kujton edhe
etimologjikisht epokën e njohur historike të polis-it grek, përkon me shfaqjen
e një praktike tjetër, që në atë periudhë u zhvillua në nivelet më të larta,
retorikën.
Aristoteli gjuhën e
politikës e shihte me veshjen e retorikës dhe retorika për të ishte një aftësi
për të zbuluar në çdo argument atë që është në gjendje të të mbushë mendjen.
Kjo karakteristikë themelore e retorikës, pra afësia për të krijuar bindje në
publik nëpërmjet ligjërimit, kënaqte nevojat e subjekteve politike, të cilat me
anë të fjalës ushtronin pushtetin.
Diskursi politik ka strategjitë e tij të dhënies së
informacionit, të cilat synojnë pra manipulimin.
Informacionet modalizohen në terma epistemikë ( di/ besoj) dhe në terma të
manipulimit bëj-të jetë, bëj-të besojë, bëj-të dijë. Ligjërimi në diskursin
politik shfrytëzon traditën historike e kulturore të masës duke prekur
emocionet e saj.
Pikërisht loja me
emocionet është strategjia më efektive në politikë. Në një analizë statistikore
që bëri mbi fushatën zgjedhore në SHBA Schonhardt-Bailey (2005) mbi diskursin
politik të kandidatëve Bush dhe Kerry, arriti në përfudimin se ' duket sikur
Kerry luftoi dhe fitoi betejën logjike, por Bushi luftoi dhe fitoi betejën e
emocioneve'.
Janë pikërisht emocionet mbi të cilat janë lëshuar kandidatët në garën e
këtyre zgjedhjeve komunale në Kosovë. Madje si një nga luftëtaret më
sentimentale po na shfaqet Mimoza Kusari, e cila gjatë karrierës ndonjëherë është
quajtur edhe zonja e hekurt, pra zonja e
fortë dhe e ftohtë si hekuri, pa emocione. Por në këtë fushatë Mimoza ka
zgjedhur qasjen tjetër, atë që e prek menjëherë elektoratin, madje ajo nuk përton
as t'u përkulet deri në tokë varreve të dëshmorëve e as t'u rrëmbejë karrocën
nga dora fëmijëve "hammallë" që të fotografohet.
Edhe LDK nuk qëndron më
mbrapa në këtë strategji. Ajo e filloi fushatën e të rinjve pikërisht “me
zemër, shpresë dhe dashuri", duke shfrytëzuar pikërisht fjalët kyç të të
gjitha partive, shpresa, ëndrra, europa, etj, për të goditur drejt e mu në zemër
të atij që do të votojë.
Edelman (1987) thotë se 'nuk mund të ketë politikë pa simbole
dhe rite, as që mund të ndodhë që një sistem politik të bazohet vetëm mbi
parime racionale, duke përjashtuar çdo konotacion simbolik. LDK pasi në
zgjedhjet e kaluara e ka shfrytëzuar me fotografi e pano gjigande figurën e
Rugovës, Ghandit të Ballkanit, tash e solli të gjallë në bronx. Le ta shohë
elektorati, ai është këtu mes nesh, mesazhi: votoni për të!.
Por jo vetëm simboli apo miti, por edhe mungesa e tyre, po shfaqet si
strategji mjaft efikase kur shfrytëzohet me mençuri. Kryetari Lexhendar i PF
shpreh pikërisht këtë mungesë lideri "legjendar", pas të cilit kapen
partitë e tjera si PDK, LDK, AAK e AKR. Ai ironizon kuazi mitet, duke u kthyer
vetë në mit, një mit urban çka i shkon Prishtinës. Ironia e sarkazma na dalin
si si strategji efektive për demaskimin e fushatave manipuluese të partive të
tjera e njëkohësisht fitimprurëse për
vetë PF.
Të menduarit politik është
një të menduar metaforik pars excellence. Këtu hyjnë edhe sloganet e partive,
"Sot komuna, nesër Kosova", e cila thërret për mobilizim të gjerë,
duke harruar që slogani mund të marrë edhe konotacion jo të pëlqyeshëm për
demokracinë e një vendi, nëse vërtet do të ndodhte që vetëm një parti që do ta
merrte krejt Kosovën.
Ndërkohë që PDK
vazhdon të kujtojë Europën, të njëjtën stategji që po përdor në qeverisjen
qendrore, duke këmbëngulur me ushqyerjen e shpresës së elektoratit të saj të
durueshëm. VV e filloi parafushatën me një thirrje për donacion, që thellë
thellë nxjerr në pah "pastërtinë" dhe transparencën e saj, në përqasje
me partitë e tjera "plot pare". VV njëkohësisht shfrytëzon këtë
thirrje publike për t'i rikujtuar elektoratit vjedhjen e votave të zgjedhjeve të
kaluara. Thjesht, një gjetje tjetër e shkëlqyer për të ngjallur besim, gjithë
çka synon realisht fushata.
AAK, VV dhe AKR me
sloganet e tyre synojnë ndryshimin, ndryshimin me çdo kusht, si shkëputje nga e
kaluara, që nënkupton për ta një politikë të konfilktit, akuzave, keqqeverisjes
etj dhe thirrje për një rend të ri, të paprovuar më parë, pikërisht nga
kandidatë të rinj, njëri prej të cilëve nga vetë VV-ja cilësohet pikërisht si "kandidat
i mirë", pra jo i keq apo jo i mirë.
Një strategji tjetër që
spikat në diskursin e drejtuesëve politikë është përdorimi i vetës së parë të
shumësit, si një përdorim tepër i rëndësishëm dhe shumë i pranishëm. Në
analizën e dy politikanëve italianë Berluskonit dhe Prodit, gjatë fushatës
zgjedhore, Santulli (2005) nxjerr në pah përqindjen e lartë të frekuencës
së përdorimit të vetës së parë shumës nga të dy këta drejtues politikë dhe të
dhënat nga analiza i dalin gati homogjene. Kjo shpjegohet me përdorimin në
kuptim global të kësaj vete e cila krijon përshtypjen e përfshirjes së
faktorëve politikë në faktet mbi të cilat ata flasin.
"Ju ftoj të fillojmë punën për qytetin e ëndrrave
tona, të bashkohemi të kthejmë besimin që ne mund të ndërtojmë një Prishtinë më
të mirë, të kalojmë bashkë çdo sfidë duke besuar në rrugën dhe vizionin
tonë", thërret në vetën
e parë shumës Besnik Tahiri, duke na angazhuar
menjëherë të gjithëve për të ndërtuar një qytet ëndrrash, por në këkëtë
rast, vetëm me fjalë.
venerdì 16 agosto 2013
Ne te gjithe jemi te çmendur
Është pikërisht vera stina e pikut tonë të çmendurisë. Tash marrin hov gjithë prirjet tona, shpërthejnë talentet e reja dhe ne e realizojmë më së miri veten.
Po, po, unë jam një çmendur që nis e të shkruaj në këtë vapë, kur kisha mundur të kridhesha në det e të flisja me peshqit. Ata do ma kuptonin më mirë se edhe vetë bashkëshorti im hallin. Jam pjellë e një kombi që moti ka dalë nga fiqiri. Kam faj unë?!
Çmenduria po përjeton ekstazën verore. Hidhen fëmijë nga ballkoni a mbyten në kanal thjesht për inat të prindërve, vriten gratë vetëm pse shejtani i bëri gra, çartet kallashi për një fjalë goje, plaçkitet nëpër shtëpi, vidhet, rënohet a pshurrosen monumente kombëtare. Çka na ka mbet më tutje?! Nuk është vera e parë që në pikë të ditës shfaqen maskat e zeza. Kjo ekstazë na zë gati çdo vit dhe asnjë qeveri nuk merr mundimin ta bëjë zap disi, nuk po them ta lidhi fare, por ca ujë të ftohtë ndoshta e kish qetësuar pak. Ujë them edhe unë! Prishtina ka aq pak orë ujë në ditë, saqë është çudi si nuk po përhapet malarja.
Megjithatë në zëvendësim të kësaj ne kemi rriqërat tona. Edhe ato po përjetojnë ekztazë. Viktimave as emrat nuk ua lexojmë zakonisht në gazeta. I riu nga Malisheva, thridhjet e katër vjeçarja nga …, sepse ata janë viktima të rasteve të ndjeshme. Në 2013 është vërtetë ndjeshmëri të vdesin kaq shumë njerëz nga rriqëra e vocërr. Në fakt, unë nuk i lë fëmijët të luajnë përjashta në bar. Mund të lahen te shatërvani i qytetit e unë i shikoj duke pirë makiato.
Që se mora lajmin e dehjes së Urtakut, as birrë të ftohtë nuk pi më. Jo se jam ndonjë figurë publike, po se punoj në të njëjtin fakultet me të atin e tij, Sabri Hamitin, dhe druhem mos lajmi merr dhenë. Ku i dihet?! Aq më tepër në këtë parafushatë, të gjen belaja nga nuk e pandeh. Mos mendoni që nuk jam aq e çmendur sa ju që mos ta kuptoj se Uraku na mori fytyrën. Por diçka prapë s’ma rrok pse gjithmonë Sabri Hamitin do ta përfshijë ndonjë skandal kështu si kjo ekstaza jonë verore. Që se e plagosën të mjerin, namin po ia bën familja.
Mirëpo kjo çmenduria jonë është aq masive sa e kaplon edhe vetë Zotin. Mjaft t’i dëgjosh të dërguarit e tij te ne, dhe duhet të jesh normal për t’u brengosur seriozisht. Shefqet Krasniqi ka marrë primatin të vlerësojë gjithë klasën politike kosovare. Ai i kalon në sitën e tij hyjnore gjithë figurat politike. “Ndiqni shembullin e Albin Kurtit”…. “mos ndiqni pallavrat e Burim Ramadanit dhe të partisë së tij, se ata kanë nevojë për vota.” Por unë nuk jam aq normal sa të pyes: Po Albini nuk dashka më vota? E pastaj më vjen keq se as Albini e as Burimi nuk bënë asgjë për t’i merituar gjithë këto “lavde prej te madhit”, të cilat dashje pa dashje po i bëjnë “viktima” te populizmit.
Viktima tjetër është rilindase, një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit dhe të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. “ Pashko Vasa ishte një budallë, çfarë është kjo feja e shqiptarit është shqiptaria?!” vazhdon me shown e tij hoxhë Irfani. Po cila është? Ai nuk na tregoi deri në fund të videos se cila ishte feja jonë. Sigurisht që hoxha e di, ai di gjithçka, po nuk guxon ta thotë publikisht. Unë mendoj se feja e shqiptarit, pra feja ime, është çmenduria. Po po, çmenduria. Ndryshe si do shpjegohej që ne nuk heqim dorë asesi prej saj?!
Botuar te Tribuna, Prishtine, Kosove
Botuar te Tribuna, Prishtine, Kosove
A nuk është më mirë t’i vritni shpjetë gratë?!
A nuk është më mirë është të na vritni, sesa të na lini të luftojmë të vetme, 90% sakate, me vdekjen? Është e tmerrshme që njeriu, të cilit i ke dhënë dashurinë, të të lërë nën mëshirë tubash oksigjeni e gjaku të dhurar nga krejt të panjohur, në mëshirë bisturish e gjilpërash, që kërkojnë të të qepin organet e sakatuara nga shfrenimi i dhunës mbi trupin e gjymuar, që para disa orësh ishte në kulmin e bukurisë.
Po mendoj unë, nëse kjo grua e re, si 27 vjeçarja, që u gjet mbrëmë në kosh të plehërave në Napoli, futur në një thes të zi mbeturinash, ishte kaq e poshtër sa të meritonte vdekjen, a nuk ishte më mirë t’ia gjeje një më të lehtë? Për shembull një helmim a, nëse ty të pëlqen dhuna, bën edhe një plumb në kokë, por vetëm të ishte diçka më e shpejtë dua të them, si për viktimën, ashtu edhe për ty që nuk duhet të shfrytëzosh tërë fantazinë e forcën tënde për të realizuar një vrasje makabre.
Me gjithë forcën e mendjes mundohem të të kuptoj. Çfarë maskarallëku mund të kish bërë gruaja jote, që ti ta lidhje këmbë e duar e ta dhunoje përbindshëm në fytyrë, në kokë, në bark, në vaginë… Pikërisht në një bark si ky ku je krijuar, nga një vaginë si kjo, e gjakosur, e laçeruar deri në maksimum, derisa koka jote të prekte dritën e trupthi yt të hidhej mbi gjirin e nënës, ku për herë të parë do të thithe dashurinë.
A ndoshta aty mund të jetë problemi. Ai qumësht gjiri mund të ketë qenë keqas i infektuar, aq keq sa ti ta urresh kaq shumë një femër. Ndoshta aty nuk kishte qumësht mjaftueshëm e ti je rritur i uritur për të ngrënë gra. Ashtu si plot të tjerë para teje, punë lidhjeje qumshti. Kështu një i farefisit tënd ia preu kokën po një vajze, ende të mitur, me një fetus disa javësh mu brenda në bark. E farefisi yt është i njohur për eksperimentime vdekjesh të tmerrshme. Për fantazinë e jashtëzakonshme për të shpikur tortura mbi gratë që nuk i duroni dot të bëhen nëna.
Plot kësi grash të reja i shtypët rrugëve të botës, që ju të ngrinit hotele rrugëve të Shqipërisë. Nga gjithë ato vagina të sakrifikuara, ju u bëtë milionerë, politikanë, gjykatës, biznesmenë, njerëz të një klasi të lartë. Në hotelet e bizneset tuaja ne vijmë sot me familje a me dashnorë e themi: Shikoni sa është zhvilluar Shqipëria. Shikoni çfarë luksi! Bëjmë qindra fotografi ku sillemi si dive hollivudi. Sa të mjera jemi!
Kaq e vështirë është për një grua shqiptare ta kuptojë se ajo është fajtorja kryesore që lind djem përbindsha? Nëse fëmijët nuk lindin të tillë, por bëhen duke thithur gjirin e saj, a nuk mundet ajo ta presë gjirin? Ose ta presë dorën që e përkundi, vetëm le t’i presë këto organe që Rozafatit ia lanë padrejtësisht burrat jashtë, se diku aty duhet të jetë problemi.
Nëse gruaja shqiptare është kaq egoiste sa të mendojë vetëm për veten, ekonominë e saj, prestigjin, farefisin, fqinjajën, e mos të shikojë çfare bime po rrit, atëherë, i kisha lutur sinqerisht burrat, burrin apo bijtë e saj, ju lutem, a nuk ju bije më lehtë të na vrisni shpejt e shpejt sesa të na shpini në atë botë me siklet, duke na e mbledhur copa-copa trupin në një copë çarçafi, që nuk di pse duhet të jetë i bardhë. Ndoshta si simbol i bluzave të doktorëve, për të cilët, më shumë se çdo gjë tjetër, ka nevojë kjo shoqëri e sëmurë kaq keqas.
Israel, mos i thuaj ‘JO’ Kosovës!
Vetëm para pak vitesh,
e tërhequr nga historitë e hebrejve gjatë LIIB në tokat shqiptare, e nxitur nga
ekspozita e Norman Gersham-it, Besa: Një kod nderi /Myslimanët shqiptarë që shpëtuan
hebrejtë, punova dokumentarin Kodi i Jetës.
Ndoshta unë isha subjektive gjatë realizimit të tij, por vlerësimi i filmit në
festivalin e URTI-së në Paris, si edhe kërkesa për transmetim nga gjithë
televizionet publike të Europës Juglindore, përveç Serbisë dhe Bullgarisë, më
çliruan. Kisha arritur të dokumentoja sado pak një histori të fshehur për mbi
45 vite të popullit tim. 2000 hebrejtë që shpëtuan në Shqipëri u ndihmuan edhe
nga dhjetëra familje shqiptare të Kosovës, si Rezniqi, Xërxa, Iljazi etj, të
cilët i strehonin e pastaj i përcillnin për Shqipëri gjithë ata që iknin nga
Serbia. Shkurt, Kosova qe kthyer në vend tranziti vendimtar për ta.
Për çudi këto fakte ishin fshehur për kaq vite. Propoganda serbe për
identifikimin e shqiptarëve të Kosovës si bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit,
kishte funksionuar për mrekulli. Në kushtet e mbijetesës ku ndodhej Kosova si
edhe nën diktaturën e Hoxhës në Shqipëri, nuk mund të pritej që ne ta rrëfenim
historinë tonë. Por historia nuk vdes, edhe pse mund të shtrembërohet.
Populli shqiptar i ka
ruajtur historikisht hebrejtë.
Në Sarandë gjenden rënojat e
sinagogës që mendohet të jetë më e vjetra në rajonin e mesdheut, gjë që dëshmon
për harmoninë e bashkëjetesës sonë. Mizoria mesjetare e dëbimit të hebrejve nga
Portugalia e Spanja e shndërroi Shqipërinë në portin e tyre mikpritës, aq sa
Vlora u bë qendra e dytë më e madhe hebraike në Ballkan. Më 1831 Mehmet Ali
Pasha, pashai shqiptar që pushtoi Palestinën, lejoi ngritjen e vendbanimeve të para hebraike në
Israelin e sotëm.
Megjithatë Israeli
nxitet të mos e njohë Kosovën, duke mosnjohur njëkohësisht edhe një pjesë të
historisë së vetë. Israeli nxitet të mos e pranojë holokaustin tonë, dëshmitë e
Ana Frankut tonë, duket që nuk po shkojnë deri atje, pasi më parë po mbërrin
propoganda serbe, shtet i cili publikisht ka pranuar që do heqë dorë nga
bllokimi i Kosovës në proceset e integrimit. Në shkrimin e tij në The Jerusalem
Post, 10/07/2013,
Say ‘no’ to Kosovo (Thuaj Jo Kosovës), Michael Freund, tregon arsyet pse Israeli nuk duhet ta njohë Kosovën, këtë
provincë renegate, sipas tij.
Që nga marrëdhëniet
shumë të mira me Serbinë, që mund të rrezikohen nëse Israeli njek Kosovën, arsyet
ekonomike, mbi një bilion euro investim nga Israeli në Serbi, trefishimin e
turizmit serb atje që se u hoqën vizat më 2009 dhe, mbi të gjitha, Freund jep
arsyen e fortë historike, sepse Kosova është zemra e kombit për Serbinë,
sikurse Judea dhe Samaria janë për
hebrejtë, “vendi ku filloi çdo gjë”. Dhe vërtetë që aty filloi çdo gjë. Filloi
konflikti shekullor mes serbëve dhe shqiptarëve, ish-aleatë të mohuar kundër
pushtimit ottoman.
Ndërtimi i
historisë mbi mite, aq më tepër mbi mite të shtrembëruara, sikurse është ai i
Kosovës për Serbinë, ka dëshmuar se pjell vetëm urrejtje e luftë. Që koha i përket
vetëm vetvetes e nuk mund të jetojë jashtë saj (Strauss, 1967) kjo u mësohet fëmijëve
europianë që në shkollë të mesme, e si shembulli më i freskët merret pikërisht
lufta e fundit e Kosovës. E nëse do të argumentonim sipas logjikës së Freund-it,
pse paska më tepër të drejtë historike Serbia mbi Kosovën, bazuar në 800 vjetët
e fundit, ndaj trashëgimtarëve të vetë dardanëve, banorëve antikë të zonës?
Serbët me të drejtë i kthejnë kishat mesjetare, në monumente, pasi atyre u
mungon antikiteti, u mungon rrënja në Ballkan.
Por
argumenti kyç i autorit është pasoja që do kish Israeli nga njohja e mundshme e
Kosovës “Pse palestinesët në Jude apo arabët israelitë mos ta kishin një të
drejtë të tillë?” Arsye e njëjtë që përdor Spanja e Greqia, në paaftësi për të
zgjidhur problemet e tyre të brendëshme, refuzojnë të pranojnë analogji të
tjera në botë, duke bllokuar proceset e zhvillimit e integrimit të banorëve të
një shteti të tërë, të cilët mezi i mbijetuan holokaustit të fundit europian.
Ndërkohë që
arsyeja e fundit e Freund-it, rritja e ekstremizmit islam vehabist në Kosovë nuk
qëndron. Instrumentalizmi i faktit se tre të katërtat e popullatës janë
myslimanë, pra le t’i quaj “ekstremistë të mundshëm”, është një propogandë famëkeqe.
Kosova është vendi me më shumë misionarë kristianë në botë dhe myslimanizmi
kosovar është po aq europian sa edhe besimet e tjera që ka Europa moderne. Argumenti
i autorit nuk qëndron as për vetë faktin se nuk na ka pranuar shumica e
shteteve islame në botë, ndërkohë që na ka pranuar shumica e shteteve
kristiane, falë të cilave arritëm edhe lirinë.
Ne qytetarët e Kosovës, jemi më të interesuar
se kushdo të jetojmë më mirë, ekstremizmi është nocion i ri në shoqërinë tonë
që po na imponohet nga jashtë. Të izoluar si kemi mbetur, një geto në zemër të
Ballkanit, nuk na ndihmon as ta luftojmë e as ta shijojmë lirinë. Nëse i hiqni
duart prej nesh, të paktën mos na sulmoni. Jemi nipërit e mbijetuar te atyre
myslimanëve që rrezikuam jetën për të shpëtuar njerëz në nevojë, se kështu thotë
kodi ynë i nderit. Sot jemi vetë në nevojë, duam të dalim nga getoja.
Iscriviti a:
Post (Atom)