venerdì 16 agosto 2013

Ne te gjithe jemi te çmendur


Është pikërisht vera stina e pikut tonë të  çmendurisë. Tash marrin hov gjithë prirjet tona, shpërthejnë talentet e reja dhe ne e realizojmë më së miri veten.
Po, po, unë jam një çmendur që nis e të shkruaj në këtë vapë, kur kisha mundur të kridhesha në det e të flisja me peshqit. Ata do ma kuptonin më mirë se edhe vetë bashkëshorti im hallin. Jam pjellë e një kombi që moti ka dalë nga fiqiri. Kam faj unë?!

Çmenduria po përjeton ekstazën verore. Hidhen fëmijë nga ballkoni a mbyten në kanal thjesht për inat të prindërve, vriten gratë vetëm pse shejtani i bëri gra, çartet kallashi për një fjalë goje, plaçkitet nëpër shtëpi, vidhet, rënohet a pshurrosen monumente kombëtare. Çka na ka mbet më tutje?! Nuk është vera e parë që në pikë të ditës shfaqen maskat e zeza. Kjo ekstazë na zë gati çdo vit dhe asnjë qeveri nuk merr mundimin ta bëjë zap disi, nuk po them ta lidhi fare, por ca ujë të ftohtë ndoshta e kish qetësuar pak. Ujë them edhe unë! Prishtina ka aq pak orë ujë në ditë, saqë është çudi si nuk po përhapet malarja. 
Megjithatë në zëvendësim të kësaj ne kemi rriqërat tona. Edhe ato po përjetojnë ekztazë. Viktimave as emrat nuk ua lexojmë zakonisht në gazeta.  I riu nga Malisheva, thridhjet e katër vjeçarja nga …,  sepse ata janë viktima të rasteve të ndjeshme.  Në 2013 është vërtetë ndjeshmëri të vdesin kaq shumë njerëz nga rriqëra e vocërr. Në fakt, unë nuk i lë fëmijët të luajnë përjashta në bar. Mund të lahen te shatërvani i qytetit e unë i shikoj duke pirë makiato.
Që se mora lajmin e dehjes së Urtakut, as birrë të ftohtë nuk pi më. Jo se jam ndonjë figurë publike, po se punoj në të njëjtin fakultet me të atin e tij, Sabri Hamitin, dhe druhem mos lajmi merr dhenë. Ku i dihet?! Aq më tepër në këtë parafushatë, të gjen belaja nga nuk e pandeh. Mos mendoni që nuk jam aq e çmendur sa ju që mos ta kuptoj se Uraku na mori fytyrën. Por diçka prapë s’ma rrok pse gjithmonë Sabri Hamitin do ta përfshijë ndonjë skandal kështu si kjo ekstaza jonë verore. Që se e plagosën të mjerin, namin po ia bën familja.

Mirëpo kjo çmenduria jonë është aq masive sa e kaplon edhe vetë Zotin. Mjaft t’i dëgjosh të dërguarit e tij te ne, dhe duhet të jesh normal për t’u brengosur seriozisht. Shefqet Krasniqi ka marrë primatin të vlerësojë gjithë klasën politike kosovare. Ai i kalon në sitën e tij hyjnore  gjithë figurat politike. “Ndiqni shembullin e Albin Kurtit”…. “mos ndiqni pallavrat e Burim Ramadanit dhe të partisë së tij, se ata kanë nevojë për vota.” Por unë nuk jam aq normal sa të pyes: Po Albini nuk dashka më vota? E pastaj më vjen keq se as Albini e as Burimi nuk bënë asgjë për t’i merituar gjithë këto “lavde prej te madhit”, të cilat  dashje pa dashje po i bëjnë “viktima” te populizmit.

Viktima tjetër është  rilindase, një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit dhe të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. “ Pashko Vasa ishte një budallë, çfarë është kjo feja e shqiptarit është shqiptaria?!”  vazhdon me shown e tij  hoxhë  Irfani. Po cila është? Ai nuk na tregoi deri në fund të videos se cila ishte feja jonë. Sigurisht që hoxha e di, ai di gjithçka, po nuk guxon ta thotë publikisht. Unë mendoj se feja e shqiptarit, pra feja ime, është çmenduria. Po po, çmenduria. Ndryshe si do shpjegohej që ne nuk heqim dorë asesi prej saj?!

Botuar te Tribuna, Prishtine, Kosove




A nuk është më mirë t’i vritni shpjetë gratë?!




A nuk është më mirë është të na vritni, sesa të na lini të luftojmë të vetme, 90% sakate, me vdekjen? Është e tmerrshme që njeriu, të cilit i ke dhënë dashurinë, të të lërë nën mëshirë tubash oksigjeni e gjaku të dhurar nga krejt të panjohur, në  mëshirë bisturish e gjilpërash, që kërkojnë të të qepin organet e sakatuara nga shfrenimi i dhunës mbi trupin e gjymuar, që para disa orësh ishte në kulmin e bukurisë.
Po mendoj unë, nëse kjo grua e re, si 27 vjeçarja, që u gjet mbrëmë në kosh të plehërave në Napoli, futur në një thes të zi mbeturinash, ishte kaq e poshtër sa të meritonte vdekjen, a nuk ishte më mirë t’ia gjeje një më të lehtë? Për shembull një helmim a, nëse ty të pëlqen dhuna, bën edhe një plumb në kokë, por vetëm të ishte diçka më e shpejtë dua të them, si për viktimën, ashtu edhe për ty që nuk duhet të shfrytëzosh tërë fantazinë e forcën tënde për të realizuar një vrasje makabre.
Me gjithë forcën e mendjes mundohem të të kuptoj. Çfarë  maskarallëku mund të kish bërë gruaja jote, që ti ta lidhje këmbë e duar e ta dhunoje përbindshëm në fytyrë, në kokë, në bark, në vaginë… Pikërisht në një bark si ky ku je krijuar, nga një  vaginë si kjo, e gjakosur, e laçeruar deri në maksimum, derisa koka jote të prekte dritën e trupthi yt të hidhej mbi gjirin e nënës, ku për herë të parë do të thithe dashurinë.
A ndoshta aty mund të jetë problemi. Ai qumësht gjiri mund të ketë qenë keqas i infektuar, aq keq sa ti ta urresh kaq shumë një femër. Ndoshta aty nuk kishte qumësht mjaftueshëm e ti je rritur i uritur për të ngrënë gra. Ashtu si plot të tjerë para teje, punë  lidhjeje qumshti. Kështu një i farefisit tënd ia preu kokën po një vajze, ende të mitur, me një fetus disa javësh mu brenda në bark. E farefisi yt është i njohur për eksperimentime vdekjesh të tmerrshme.  Për fantazinë e jashtëzakonshme për të shpikur tortura mbi gratë që nuk i duroni dot të bëhen nëna.
Plot kësi grash të reja i shtypët rrugëve të botës, që ju të ngrinit hotele rrugëve të Shqipërisë. Nga gjithë ato vagina të sakrifikuara, ju u bëtë milionerë, politikanë, gjykatës, biznesmenë, njerëz të një klasi të lartë. Në hotelet e bizneset tuaja ne vijmë sot me familje a me dashnorë e themi: Shikoni sa është zhvilluar Shqipëria. Shikoni çfarë luksi! Bëjmë qindra fotografi ku sillemi si dive hollivudi. Sa të mjera jemi!
Kaq e vështirë është për një grua shqiptare ta kuptojë se ajo është fajtorja kryesore që lind djem përbindsha? Nëse fëmijët nuk lindin të tillë, por bëhen duke thithur gjirin e saj, a nuk mundet ajo ta presë gjirin? Ose ta presë dorën që e përkundi, vetëm le t’i presë këto organe që Rozafatit ia lanë padrejtësisht burrat jashtë, se diku aty duhet të jetë problemi.
Nëse gruaja shqiptare është kaq egoiste sa të mendojë vetëm për veten, ekonominë e saj, prestigjin, farefisin, fqinjajën, e mos të shikojë çfare bime po rrit, atëherë, i kisha lutur sinqerisht burrat, burrin apo bijtë e saj, ju lutem, a nuk ju bije më lehtë të na vrisni shpejt e shpejt sesa të na shpini në atë botë me siklet, duke na e mbledhur copa-copa trupin në një copë çarçafi, që nuk di pse duhet të jetë i bardhë. Ndoshta si simbol i bluzave të doktorëve, për të cilët, më shumë se çdo gjë tjetër, ka nevojë kjo shoqëri e sëmurë kaq keqas.

Israel, mos i thuaj ‘JO’ Kosovës!




Vetëm para pak vitesh, e tërhequr nga historitë e hebrejve gjatë LIIB në tokat shqiptare, e nxitur nga ekspozita e Norman Gersham-it, Besa: Një kod nderi /Myslimanët shqiptarë që shpëtuan hebrejtë, punova dokumentarin  Kodi i Jetës. Ndoshta unë isha subjektive gjatë realizimit të tij, por vlerësimi i filmit në festivalin e URTI-së në Paris, si edhe kërkesa për transmetim nga gjithë televizionet publike të Europës Juglindore, përveç Serbisë dhe Bullgarisë, më çliruan. Kisha arritur të dokumentoja sado pak një histori të fshehur për mbi 45 vite të popullit tim. 2000 hebrejtë që shpëtuan në Shqipëri u ndihmuan edhe nga dhjetëra familje shqiptare të Kosovës, si Rezniqi, Xërxa, Iljazi etj, të cilët i strehonin e pastaj i përcillnin për Shqipëri gjithë ata që iknin nga Serbia. Shkurt, Kosova qe kthyer në vend tranziti vendimtar për ta.
Për çudi këto fakte ishin fshehur për kaq vite. Propoganda serbe për identifikimin e shqiptarëve të Kosovës si bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit, kishte funksionuar për mrekulli. Në kushtet e mbijetesës ku ndodhej Kosova si edhe nën diktaturën e Hoxhës në Shqipëri, nuk mund të pritej që ne ta rrëfenim historinë tonë. Por historia nuk vdes, edhe pse mund të shtrembërohet.
Populli shqiptar i ka ruajtur historikisht hebrejtë.
 Në Sarandë gjenden rënojat e sinagogës që mendohet të jetë më e vjetra në rajonin e mesdheut, gjë që dëshmon për harmoninë e bashkëjetesës sonë. Mizoria mesjetare e dëbimit të hebrejve nga Portugalia e Spanja e shndërroi Shqipërinë në portin e tyre mikpritës, aq sa Vlora u bë qendra e dytë më e madhe hebraike në Ballkan. Më 1831 Mehmet Ali Pasha, pashai shqiptar që pushtoi Palestinën, lejoi  ngritjen e vendbanimeve të para hebraike në Israelin e sotëm.
Megjithatë Israeli nxitet të mos e njohë Kosovën, duke  mosnjohur njëkohësisht edhe një pjesë të historisë së vetë. Israeli nxitet të mos e pranojë holokaustin tonë, dëshmitë e Ana Frankut tonë, duket që nuk po shkojnë deri atje, pasi më parë po mbërrin propoganda serbe, shtet i cili publikisht ka pranuar që do heqë dorë nga bllokimi i Kosovës në proceset e integrimit. Në shkrimin e tij në The Jerusalem Post, 10/07/2013, Say ‘no’ to Kosovo (Thuaj Jo Kosovës), Michael Freund, tregon arsyet pse Israeli nuk duhet ta njohë Kosovën, këtë provincë renegate, sipas tij.
Që nga marrëdhëniet shumë të mira me Serbinë, që mund të rrezikohen nëse Israeli njek Kosovën, arsyet ekonomike, mbi një bilion euro investim nga Israeli në Serbi, trefishimin e turizmit serb atje që se u hoqën vizat më 2009 dhe, mbi të gjitha, Freund jep arsyen e fortë historike, sepse Kosova është zemra e kombit për Serbinë, sikurse Judea dhe Samaria janë për hebrejtë, “vendi ku filloi çdo gjë”. Dhe vërtetë që aty filloi çdo gjë. Filloi konflikti shekullor mes serbëve dhe shqiptarëve, ish-aleatë të mohuar kundër pushtimit ottoman.
Ndërtimi i historisë mbi mite, aq më tepër mbi mite të shtrembëruara, sikurse është ai i Kosovës për Serbinë, ka dëshmuar se pjell vetëm urrejtje e luftë. Që koha i përket vetëm vetvetes e nuk mund të jetojë jashtë saj (Strauss, 1967) kjo u mësohet fëmijëve europianë që në shkollë të mesme, e si shembulli më i freskët merret pikërisht lufta e fundit e Kosovës. E nëse do të argumentonim sipas logjikës së Freund-it, pse paska më tepër të drejtë historike Serbia mbi Kosovën, bazuar në 800 vjetët e fundit, ndaj trashëgimtarëve të vetë dardanëve, banorëve antikë të zonës? Serbët me të drejtë i kthejnë kishat mesjetare, në monumente, pasi atyre u mungon antikiteti, u mungon rrënja në Ballkan.
Por argumenti kyç i autorit është pasoja që do kish Israeli nga njohja e mundshme e Kosovës “Pse palestinesët në Jude apo arabët israelitë mos ta kishin një të drejtë të tillë?” Arsye e njëjtë që përdor Spanja e Greqia, në paaftësi për të zgjidhur problemet e tyre të brendëshme, refuzojnë të pranojnë analogji të tjera në botë, duke bllokuar proceset e zhvillimit e integrimit të banorëve të një shteti të tërë, të cilët mezi i mbijetuan holokaustit të fundit europian.
Ndërkohë që arsyeja e fundit e Freund-it, rritja e ekstremizmit islam vehabist në Kosovë nuk qëndron. Instrumentalizmi i faktit se tre të katërtat e popullatës janë myslimanë, pra le t’i quaj “ekstremistë të mundshëm”, është një propogandë famëkeqe. Kosova është vendi me më shumë misionarë kristianë në botë dhe myslimanizmi kosovar është po aq europian sa edhe besimet e tjera që ka Europa moderne. Argumenti i autorit nuk qëndron as për vetë faktin se nuk na ka pranuar shumica e shteteve islame në botë, ndërkohë që na ka pranuar shumica e shteteve kristiane, falë të cilave arritëm edhe lirinë.
 Ne qytetarët e Kosovës, jemi më të interesuar se kushdo të jetojmë më mirë, ekstremizmi është nocion i ri në shoqërinë tonë që po na imponohet nga jashtë. Të izoluar si kemi mbetur, një geto në zemër të Ballkanit, nuk na ndihmon as ta luftojmë e as ta shijojmë lirinë. Nëse i hiqni duart prej nesh, të paktën mos na sulmoni. Jemi nipërit e mbijetuar te atyre myslimanëve që rrezikuam jetën për të shpëtuar njerëz në nevojë, se kështu thotë kodi ynë i nderit. Sot jemi vetë në nevojë, duam të dalim nga getoja.

 Botuar te Koha Ditore, 16. 08. 2013