mercoledì 27 novembre 2013

Kombëtarja që zbuloi kombin


       Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, edhe pse nuk pavarësoi as gjysmën e tokave shqiptare, veçoi identitetin e shqiptarit nga ai i perandorisë osmane, dhe krijoi kombin.  Ndarja në kaurë a muhamedanë tregonte që kishte një faktor edhe më të rëndësishëm që i lidhte shqiptarët me njëri-tjetrin. Gjuha. Historia na mëson që gjuha ka qenë shpesh antagonistja më e madhe e religjionit, e ndonjëherë edhe aleatja e tij.


       Nëse religjioni tenton të jetë përjashtues, gjuha jo; gjuha është faktori i identitetit dhe instrumenti i komunikimit. Në momentin kur dy komunitete flasin gjuhë të ndryshme, religjioni nuk është i mjaftueshëm për t’i bashkuar ( p.sh. flaminget katolikë dhe valonët) dhe as  përkatësia e njëjtë gjuhësore (Bosnja)  nuk garanton sot bashkjetesën mes serbëve ortodoksë, katolikëve kroatë dhe myslimanëve. 


      Në këtë kontekst, ne shqiptarët zëmë një vend më specifik, i cili meriton vëmendje serioze. Debatet e ashpra për ndeshjen Shqipëri-Zvicër ishin një shpërthim i pavetëdijshëm i konfuzionit identitar ku gjendemi. Kuq e zinjtë kundër kuq e zinjve me fanella të kombëtares zvicerane apo  kaltroshave me flamujë të Zvicrës. Pikërisht thirrjet diskriminuese të tifozëve, absolutisht të papranueshme, duhet të na ndiznin llampat e alarmit.
 
Çështja e identitetit, qoftë ajo individuale apo kolektive, paraqitet si temë qëndrore në debatin e sotëm botëror për shumë motive; i pari është fakti se shoqëria bashkëkohore, para së gjithash, është një shoqëri multikulturore. Në momentin kur një individ, i cili i përket një kulture çfarëdo, vihet në kontakt me një kulturë “tjetër” mund të vazhdojë të ruajë kulturën e tij ose mund të parapëlqejë tjetrën. Natyrisht që preferenca ndaj një kulture tjetër është e rrallë, por gjithmonë është e mundur, të paktën për botën perëndimore.
 
         Shpallja e pavarësisë së Kosovës solli lindjen e një shteti-komb të ri, i cili ka simbolet e veta, si edhe një himn, në këtë rast pa fjalë (mungesë që flet më shumë se fjalët). A po sillte kjo edhe lindjen e një kombi të ri brenda kombit shqiptar?  E kjo s’ish parë e s’ish menduar ndonjëherë. Atë çka kishte arritur ta pavarësonte Ismail Qemali, identitetin kombëtar, a po e vinte në lojë themelimi i shtetit të ri? A  nënkuptonte kjo edhe shkëputje? Faktikisht debatet mbi kombin e ri kosovar shpesh transformohen në histeri publike ku ndarja është drastike, o me ne, o kundër nesh. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një problem serioz, që prek identitetin, ndaj të cilit individi është tej mase i ndjeshëm.
 
Përballë kësaj gjendjeje të re të krijuar, vihet shtresa tjetër e shoqërisë sonë që jeton në diasporë. Pikërisht ata fëmijë të lindur apo rritur atje përjetojnë konflikt identitar të trefisht: përkatësi  shqiptare, kosovare apo të vendit ku jetojnë? Ndërkohë që mund të kishin kultivuar me kujdes një shtresëzim të të triave, por kjo varet nga shumë faktorë si ai kulturor, arsimor, ekonomik etj.  
 
Sa më shumë që emigrantët ndiejnë që tradita e tyre kulturore e origjinës respektohet në vendin e ri të rezidencës e sa më pak e vërejnë që janë të mbajtur peng, të refuzuar, të kërcënuar a diskriminuar për shkak të identitetit të tyre të ndryshëm, aq më e pritshme do të jetë hapja e tyre ndaj ofertave kulturore në vendin e ri dhe aq më pak do të mbeten të kapur fort pas mënyrës së tyre të “vjetër” të  jetesës.
 
Në manifestin e Partisë Komuniste Marx-i dhe Engels-i nxitnin të shkrinin trupat solidë të strukturave të rendit kapitalist ndërkohë që revolucioni proletar mund të kontribuonte në një mënyrë më vendimtare për ndërtimin e një shoqërie më ndryshe, më fluide. Sot bota përballet me një rend të ri social, ‘ të lëngshëm’, pa spiranca, pa pika fikse referimi,  brenda të cilave vlerat, institucionet dhe sjelljet janë po ashtu të rrjedhshme dhe njeriu ndihet më mirë me vetveten.
 
         Një politikë më serioze ndaj çështjeve identitare e bazuar fuqishëm te toleranca do të zbuste konfliktet identitare si dhe do të shmangte  debate publike të pakrye që përfundojnë me linçime mesjetare. Vetëm një shtet pluralist, që duhet të jetë patjetër i shekullarizuar, pasi besimet nuk tolerojnë kundër-besime, do të kishte vend për të gjithë.  Varietet dhe jo uniformitet, të menduarit ndryshe dhe jo unanimitet, ndryshim dhe jo palëvizshmëri. Ky është shteti që meritojmë.  Kjo do ishte pavarësia jonë. Kultura pluraliste që nuk abuzon me emrin që i jepet.



Botuar te Zeri, 27/11/2013