Në këtë kontekst, ne shqiptarët zëmë një vend më
specifik, i cili meriton vëmendje serioze. Debatet e ashpra për ndeshjen Shqipëri-Zvicër
ishin një shpërthim i pavetëdijshëm i konfuzionit identitar ku gjendemi. Kuq e
zinjtë kundër kuq e zinjve me fanella të kombëtares zvicerane apo kaltroshave me flamujë të Zvicrës. Pikërisht
thirrjet diskriminuese të tifozëve, absolutisht të papranueshme, duhet të na
ndiznin llampat e alarmit.
Çështja e identitetit, qoftë ajo individuale apo
kolektive, paraqitet si temë qëndrore në debatin e sotëm botëror për shumë motive;
i pari është fakti se shoqëria bashkëkohore, para së gjithash, është një
shoqëri multikulturore. Në momentin kur një individ, i cili i përket një
kulture çfarëdo, vihet në kontakt me një kulturë “tjetër” mund të vazhdojë të
ruajë kulturën e tij ose mund të parapëlqejë tjetrën. Natyrisht që preferenca
ndaj një kulture tjetër është e rrallë, por gjithmonë është e mundur, të paktën
për botën perëndimore.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës solli lindjen e një shteti-komb
të ri, i cili ka simbolet e veta, si edhe një himn, në këtë rast pa fjalë
(mungesë që flet më shumë se fjalët). A po sillte kjo edhe lindjen e një kombi
të ri brenda kombit shqiptar? E kjo
s’ish parë e s’ish menduar ndonjëherë. Atë çka kishte arritur ta pavarësonte
Ismail Qemali, identitetin kombëtar, a po e vinte në lojë themelimi i shtetit të
ri? A nënkuptonte kjo edhe shkëputje? Faktikisht
debatet mbi kombin e ri kosovar shpesh transformohen në histeri publike ku
ndarja është drastike, o me ne, o kundër nesh. Kjo tregon se kemi të bëjmë me
një problem serioz, që prek identitetin, ndaj të cilit individi është tej mase
i ndjeshëm.
Përballë kësaj gjendjeje të re të krijuar, vihet
shtresa tjetër e shoqërisë sonë që jeton në diasporë. Pikërisht ata fëmijë të
lindur apo rritur atje përjetojnë konflikt identitar të trefisht: përkatësi shqiptare, kosovare apo të vendit ku jetojnë?
Ndërkohë që mund të kishin kultivuar me kujdes një shtresëzim të të triave, por
kjo varet nga shumë faktorë si ai kulturor, arsimor, ekonomik etj.
Sa më shumë që emigrantët ndiejnë që tradita e tyre
kulturore e origjinës respektohet në vendin e ri të rezidencës e sa më pak e
vërejnë që janë të mbajtur peng, të refuzuar, të kërcënuar a diskriminuar për
shkak të identitetit të tyre të ndryshëm, aq më e pritshme do të jetë hapja e
tyre ndaj ofertave kulturore në vendin e ri dhe aq më pak do të mbeten të kapur
fort pas mënyrës së tyre të “vjetër” të
jetesës.
Në manifestin e Partisë Komuniste Marx-i dhe Engels-i
nxitnin të shkrinin trupat solidë të strukturave të rendit kapitalist ndërkohë
që revolucioni proletar mund të kontribuonte në një mënyrë më vendimtare për
ndërtimin e një shoqërie më ndryshe, më fluide. Sot bota përballet me një rend
të ri social, ‘ të lëngshëm’, pa spiranca, pa pika fikse referimi, brenda të cilave vlerat, institucionet dhe
sjelljet janë po ashtu të rrjedhshme dhe njeriu ndihet më mirë me vetveten.
Një politikë më serioze ndaj çështjeve identitare e
bazuar fuqishëm te toleranca do të zbuste konfliktet identitare si dhe do të
shmangte debate publike të pakrye që përfundojnë
me linçime mesjetare. Vetëm një shtet pluralist, që duhet të jetë patjetër i
shekullarizuar, pasi besimet nuk tolerojnë kundër-besime, do të kishte vend për
të gjithë. Varietet dhe jo uniformitet,
të menduarit ndryshe dhe jo unanimitet, ndryshim dhe jo palëvizshmëri. Ky është
shteti që meritojmë. Kjo do ishte pavarësia
jonë. Kultura pluraliste që nuk abuzon me emrin që i jepet.
Botuar te Zeri, 27/11/2013
Nessun commento:
Posta un commento