giovedì 10 ottobre 2013

Fjalët që ngrenë një qytet ëndrrash


          Vetë lindja e politikës, që në botën oksidentale na kujton edhe etimologjikisht epokën e njohur historike të polis-it grek, përkon me shfaqjen e një praktike tjetër, që në atë periudhë u zhvillua në nivelet më të larta, retorikën.
            Aristoteli gjuhën e politikës e shihte me veshjen e retorikës dhe retorika për të ishte një aftësi për të zbuluar në çdo argument atë që është në gjendje të të mbushë mendjen. Kjo karakteristikë themelore e retorikës, pra afësia për të krijuar bindje në publik nëpërmjet ligjërimit, kënaqte nevojat e subjekteve politike, të cilat me anë të fjalës ushtronin pushtetin.
            Diskursi politik ka strategjitë e tij të dhënies së informacionit, të cilat synojnë  pra manipulimin. Informacionet modalizohen në terma epistemikë ( di/ besoj) dhe në terma të manipulimit bëj-të jetë, bëj-të besojë, bëj-të dijë. Ligjërimi në diskursin politik  shfrytëzon traditën historike e kulturore të masës duke prekur emocionet e saj.

            Pikërisht loja me emocionet është strategjia më efektive në politikë. Në një analizë statistikore që bëri mbi fushatën zgjedhore në SHBA Schonhardt-Bailey (2005) mbi diskursin politik të kandidatëve Bush dhe Kerry, arriti në përfudimin se ' duket sikur Kerry luftoi dhe fitoi betejën logjike, por Bushi luftoi dhe fitoi betejën e emocioneve'.
Janë pikërisht emocionet mbi të cilat janë lëshuar kandidatët në garën e këtyre zgjedhjeve komunale në Kosovë. Madje si një nga luftëtaret më sentimentale po na shfaqet Mimoza Kusari, e cila gjatë karrierës ndonjëherë është  quajtur edhe zonja e hekurt, pra zonja e fortë dhe e ftohtë si hekuri, pa emocione. Por në këtë fushatë Mimoza ka zgjedhur qasjen tjetër, atë që e prek menjëherë elektoratin, madje ajo nuk përton as t'u përkulet deri në tokë varreve të dëshmorëve e as t'u rrëmbejë karrocën nga dora fëmijëve "hammallë" që të fotografohet.
            Edhe LDK nuk qëndron më mbrapa në këtë strategji. Ajo e filloi fushatën e të rinjve pikërisht “me zemër, shpresë dhe dashuri", duke shfrytëzuar pikërisht fjalët kyç të të gjitha partive, shpresa, ëndrra, europa, etj, për të goditur drejt e mu në zemër të atij që do të votojë.
        

            Edelman (1987) thotë se 'nuk mund të ketë politikë pa simbole dhe rite, as që mund të ndodhë që një sistem politik të bazohet vetëm mbi parime racionale, duke përjashtuar çdo konotacion simbolik. LDK pasi në zgjedhjet e kaluara e ka shfrytëzuar me fotografi e pano gjigande figurën e Rugovës, Ghandit të Ballkanit, tash e solli të gjallë në bronx. Le ta shohë elektorati, ai është këtu mes nesh, mesazhi: votoni për të!.
Por jo vetëm simboli apo miti, por edhe mungesa e tyre, po shfaqet si strategji mjaft efikase kur shfrytëzohet me mençuri. Kryetari Lexhendar i PF shpreh pikërisht këtë mungesë lideri "legjendar", pas të cilit kapen partitë e tjera si PDK, LDK, AAK e AKR. Ai ironizon kuazi mitet, duke u kthyer vetë në mit, një mit urban çka i shkon Prishtinës. Ironia e sarkazma na dalin si si strategji efektive për demaskimin e fushatave manipuluese të partive të tjera e  njëkohësisht fitimprurëse për vetë PF. 

            Të menduarit politik është një të menduar metaforik pars excellence. Këtu hyjnë edhe sloganet e partive, "Sot komuna, nesër Kosova", e cila thërret për mobilizim të gjerë, duke harruar që slogani mund të marrë edhe konotacion jo të pëlqyeshëm për demokracinë e një vendi, nëse vërtet do të ndodhte që vetëm një parti që do ta merrte krejt Kosovën.
            Ndërkohë që PDK  vazhdon të kujtojë Europën, të njëjtën stategji që po përdor në qeverisjen qendrore, duke këmbëngulur me ushqyerjen e shpresës së elektoratit të saj të durueshëm. VV e filloi parafushatën me një thirrje për donacion, që thellë thellë nxjerr në pah "pastërtinë" dhe transparencën e saj, në përqasje me partitë e tjera "plot pare". VV njëkohësisht shfrytëzon këtë thirrje publike për t'i rikujtuar elektoratit vjedhjen e votave të zgjedhjeve të kaluara. Thjesht, një gjetje tjetër e shkëlqyer për të ngjallur besim, gjithë çka synon realisht fushata. 


             AAK, VV dhe AKR me sloganet e tyre synojnë ndryshimin, ndryshimin me çdo kusht, si shkëputje nga e kaluara, që nënkupton për ta një politikë të konfilktit, akuzave, keqqeverisjes etj dhe thirrje për një rend të ri, të paprovuar më parë, pikërisht nga kandidatë të rinj, njëri prej të cilëve nga vetë VV-ja cilësohet pikërisht si "kandidat i mirë", pra jo i keq apo jo i mirë.
            Një strategji tjetër që spikat në diskursin e drejtuesëve politikë është përdorimi i vetës së parë të shumësit, si një përdorim tepër i rëndësishëm dhe shumë i pranishëm. Në analizën e dy politikanëve italianë Berluskonit dhe Prodit, gjatë fushatës zgjedhore,  Santulli (2005) nxjerr në pah përqindjen e lartë të frekuencës së përdorimit të vetës së parë shumës nga të dy këta drejtues politikë dhe të dhënat nga analiza i dalin gati homogjene. Kjo shpjegohet me përdorimin në kuptim global të kësaj vete e cila krijon përshtypjen e përfshirjes së faktorëve politikë në faktet mbi të cilat ata flasin.

"Ju ftoj të fillojmë punën për qytetin e ëndrrave tona, të bashkohemi të kthejmë besimin që ne mund të ndërtojmë një Prishtinë më të mirë, të kalojmë bashkë çdo sfidë duke besuar në rrugën dhe vizionin tonë", thërret në vetën e parë shumës Besnik Tahiri, duke na angazhuar menjëherë  të gjithëve për të ndërtuar një qytet ëndrrash, por në këkëtë rast, vetëm me fjalë.