venerdì 16 agosto 2013

Israel, mos i thuaj ‘JO’ Kosovës!




Vetëm para pak vitesh, e tërhequr nga historitë e hebrejve gjatë LIIB në tokat shqiptare, e nxitur nga ekspozita e Norman Gersham-it, Besa: Një kod nderi /Myslimanët shqiptarë që shpëtuan hebrejtë, punova dokumentarin  Kodi i Jetës. Ndoshta unë isha subjektive gjatë realizimit të tij, por vlerësimi i filmit në festivalin e URTI-së në Paris, si edhe kërkesa për transmetim nga gjithë televizionet publike të Europës Juglindore, përveç Serbisë dhe Bullgarisë, më çliruan. Kisha arritur të dokumentoja sado pak një histori të fshehur për mbi 45 vite të popullit tim. 2000 hebrejtë që shpëtuan në Shqipëri u ndihmuan edhe nga dhjetëra familje shqiptare të Kosovës, si Rezniqi, Xërxa, Iljazi etj, të cilët i strehonin e pastaj i përcillnin për Shqipëri gjithë ata që iknin nga Serbia. Shkurt, Kosova qe kthyer në vend tranziti vendimtar për ta.
Për çudi këto fakte ishin fshehur për kaq vite. Propoganda serbe për identifikimin e shqiptarëve të Kosovës si bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit, kishte funksionuar për mrekulli. Në kushtet e mbijetesës ku ndodhej Kosova si edhe nën diktaturën e Hoxhës në Shqipëri, nuk mund të pritej që ne ta rrëfenim historinë tonë. Por historia nuk vdes, edhe pse mund të shtrembërohet.
Populli shqiptar i ka ruajtur historikisht hebrejtë.
 Në Sarandë gjenden rënojat e sinagogës që mendohet të jetë më e vjetra në rajonin e mesdheut, gjë që dëshmon për harmoninë e bashkëjetesës sonë. Mizoria mesjetare e dëbimit të hebrejve nga Portugalia e Spanja e shndërroi Shqipërinë në portin e tyre mikpritës, aq sa Vlora u bë qendra e dytë më e madhe hebraike në Ballkan. Më 1831 Mehmet Ali Pasha, pashai shqiptar që pushtoi Palestinën, lejoi  ngritjen e vendbanimeve të para hebraike në Israelin e sotëm.
Megjithatë Israeli nxitet të mos e njohë Kosovën, duke  mosnjohur njëkohësisht edhe një pjesë të historisë së vetë. Israeli nxitet të mos e pranojë holokaustin tonë, dëshmitë e Ana Frankut tonë, duket që nuk po shkojnë deri atje, pasi më parë po mbërrin propoganda serbe, shtet i cili publikisht ka pranuar që do heqë dorë nga bllokimi i Kosovës në proceset e integrimit. Në shkrimin e tij në The Jerusalem Post, 10/07/2013, Say ‘no’ to Kosovo (Thuaj Jo Kosovës), Michael Freund, tregon arsyet pse Israeli nuk duhet ta njohë Kosovën, këtë provincë renegate, sipas tij.
Që nga marrëdhëniet shumë të mira me Serbinë, që mund të rrezikohen nëse Israeli njek Kosovën, arsyet ekonomike, mbi një bilion euro investim nga Israeli në Serbi, trefishimin e turizmit serb atje që se u hoqën vizat më 2009 dhe, mbi të gjitha, Freund jep arsyen e fortë historike, sepse Kosova është zemra e kombit për Serbinë, sikurse Judea dhe Samaria janë për hebrejtë, “vendi ku filloi çdo gjë”. Dhe vërtetë që aty filloi çdo gjë. Filloi konflikti shekullor mes serbëve dhe shqiptarëve, ish-aleatë të mohuar kundër pushtimit ottoman.
Ndërtimi i historisë mbi mite, aq më tepër mbi mite të shtrembëruara, sikurse është ai i Kosovës për Serbinë, ka dëshmuar se pjell vetëm urrejtje e luftë. Që koha i përket vetëm vetvetes e nuk mund të jetojë jashtë saj (Strauss, 1967) kjo u mësohet fëmijëve europianë që në shkollë të mesme, e si shembulli më i freskët merret pikërisht lufta e fundit e Kosovës. E nëse do të argumentonim sipas logjikës së Freund-it, pse paska më tepër të drejtë historike Serbia mbi Kosovën, bazuar në 800 vjetët e fundit, ndaj trashëgimtarëve të vetë dardanëve, banorëve antikë të zonës? Serbët me të drejtë i kthejnë kishat mesjetare, në monumente, pasi atyre u mungon antikiteti, u mungon rrënja në Ballkan.
Por argumenti kyç i autorit është pasoja që do kish Israeli nga njohja e mundshme e Kosovës “Pse palestinesët në Jude apo arabët israelitë mos ta kishin një të drejtë të tillë?” Arsye e njëjtë që përdor Spanja e Greqia, në paaftësi për të zgjidhur problemet e tyre të brendëshme, refuzojnë të pranojnë analogji të tjera në botë, duke bllokuar proceset e zhvillimit e integrimit të banorëve të një shteti të tërë, të cilët mezi i mbijetuan holokaustit të fundit europian.
Ndërkohë që arsyeja e fundit e Freund-it, rritja e ekstremizmit islam vehabist në Kosovë nuk qëndron. Instrumentalizmi i faktit se tre të katërtat e popullatës janë myslimanë, pra le t’i quaj “ekstremistë të mundshëm”, është një propogandë famëkeqe. Kosova është vendi me më shumë misionarë kristianë në botë dhe myslimanizmi kosovar është po aq europian sa edhe besimet e tjera që ka Europa moderne. Argumenti i autorit nuk qëndron as për vetë faktin se nuk na ka pranuar shumica e shteteve islame në botë, ndërkohë që na ka pranuar shumica e shteteve kristiane, falë të cilave arritëm edhe lirinë.
 Ne qytetarët e Kosovës, jemi më të interesuar se kushdo të jetojmë më mirë, ekstremizmi është nocion i ri në shoqërinë tonë që po na imponohet nga jashtë. Të izoluar si kemi mbetur, një geto në zemër të Ballkanit, nuk na ndihmon as ta luftojmë e as ta shijojmë lirinë. Nëse i hiqni duart prej nesh, të paktën mos na sulmoni. Jemi nipërit e mbijetuar te atyre myslimanëve që rrezikuam jetën për të shpëtuar njerëz në nevojë, se kështu thotë kodi ynë i nderit. Sot jemi vetë në nevojë, duam të dalim nga getoja.

 Botuar te Koha Ditore, 16. 08. 2013

Nessun commento:

Posta un commento